Nga Vendi
13 August 2021
Ahmeti: Në hasmëri të përhershme nuk ecet përpara

Kreu i BDI-së foli edhe rreth iniciativës “Ballkani i Hapur” ku bëjnë pjesë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, por nuk janë bashkangjitur Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Sipas Ahmetit, kjo temë kërkon trajtim të qetë dhe pa emocione.

“Është një temë shumë e ndjeshme. Është një temë që kërkon trajtim të qetë, pa emocione, pa ngarkesa. Në hapësirat e Ballkanit Perëndimor, kryesisht në territoret e ish-Jugosllavisë, janë bërë luftëra të përgjakshme dhe këto lufta kanë përfunduar para 22 vjetësh. Tash e 22 vjet nuk kemi përplasje të armatosura, kemi marrëveshje që kërkojnë zbatim e materializim dhe ky rajon duhet të pajtohet”, tha Ahmeti.

Duke marrë shembull gjermanët dhe francezët pas Luftës së Dytë Botërore, ai thotë se duhet të vendoset një standard komunikimi në mënyrë që të mos përsëriten luftërat e para 25 viteve në territoret e ish-Jugosllavisë.
“Në hasmëri të përhershme nuk ecet përpara. Edhe pse situata është shumë e ndjeshme në raport Serbi-Kosovë, në raport Bosnjë-Serbi, në raport Mali i Zi-Serbi, sepse në këtë kontekst Mali i Zi ndjehet i rrezikuar si një vend i vogël nga Serbia. Por me pretendime të politikave të së kaluarës nuk ecet përpara, me politika ekspansioniste, pushtuese, asimiluese, nuk ecet përpara”, thekson Ahmeti.

Sipas tij, lidhur me iniciativën “Ballkani i Hapur” nevojitet sqarim, komunikim dhe bashkëpunim i sinqertë mes vendeve të rajonit, duke theksuar se të gjitha vendet duhet të investojnë në ndërtimin e paqes, sigurisë dhe ardhmërisë.
“E vetmja mënyrë është tanimë komunikimi, bashkëpunimi i sinqertë mes vendeve, pa parë që të jenë uzurpatorë dhe totalitarë, por të jenë komunikues, bashkëpunues dhe të vendoset drejtësi dhe barazi mbi të gjithë. Komunikim i lirshëm i njerëzve, ekonomi stabile pa ndikime apo mbisundime dhe mendoj që e lehtë nuk është, por duhen sqarime, duhen komunikime, përndryshe, duhet të jemi anëtarë të BE-së, duhet të jemi në Evropën e bashkuar”, thotë Ahmeti.

Qëllimi kryesor i iniciativës “Ballkani i Hapur”, e cila u formalizua në një forum ekonomik të mbajtur në fund të korrikut në Shkup, është të bëjë nismat ekzistuese rajonale më efektive në mënyrë që të arrihen rezultate praktike dhe të dukshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Nisma gjithashtu synon të arrijë krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, i cili, si një formë kalimtare, duhet ta çojë rajonin më pranë BE-së dhe të përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë./



Të ndryshme
Më shumë
Tch: Emri i Vlora Çitakut lakohet për ministre të Diasporës së Shqipërisë 1 September 2021
Lajm i bujshëm! Shqiptarët do udhëtojnë pa viza në një nga shtetet më të pasura të botës24 September 2021
Filipçe: Përmirësohet gjendja me pandeminë në rajonin e Pollogut 6 September 2021