Nga Vendi
6 September 2021
Të enjten në mesnatë përfundon inspektimi i Listës Zgjedhore në Maqedoni

Deri të enjten në mesnatë, qytetarët do të mund t’i kontrollojnë të dhënat e tyre në Listën zgjedhore, ndërsa deri të shtunën në mesnatë (11 shtator),dorëzohen kandidaturat për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të caktuara për më 17 tetor. Pjesëmarrësit në zgjedhje i shpallin kandidatët e fundit që do t’i përfaqësojnë, ndërsa tashmë një kohë të gjatë ka filluar fushata jozyrtare me takime me qytetarët dhe në rrjetet sociale.

Në Listën Zgjedhore deri të shtunën janë kontrolluar gjithsej 12.128 persona, kumtoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Deri atëherë, janë paraqitur gjithsej 47 kërkesa për regjistrim në listën e zgjedhësve, 28 kërkesa për fshirjen e të dhënave nga lista e zgjedhësve dhe 22 kërkesa për ndryshimin e të dhënave në listën zgjedhore. Gjithashtu, gjithsej 42 kërkesa i janë dorëzuar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në e-mail adresën [email protected].

Qytetarët mund të kontrollojnë të dhënat e tyre në njësitë dhe zyrat rajonale të KSHZ-së, si dhe në mënyrë elektronike përmes faqes së tyre të internetit.

Lista zgjedhore më pas i dorëzohet partive politike dhe në të duhet të vendosen edhe të dhënat nga MPB-ja për personat që kanë kërkesa për letërnjoftime të reja, nga Drejtoria për sanksione dhe nga nga MPPS për personat në shtëpitë e pleqve. Lista zgjedhore mbyllet më së voni deri më 24 shtator dhe duhet të nënshkruhet më së voni deri më 1 tetor.

Partitë dhe kandidatët e pavarur duhet t’i paraqesin kandidaturat e tyre në komisionet komunale zgjedhore deri në mesnatën e 11 shtatorit.

Fushata zgjedhore për raundin e parë të zgjedhjeve vendore fillon më 27 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 tetor në mesnatë.

Në këto zgjedhje, për herë të parë në vend, do të përdoren terminalet për leximin e gjurmëve të gishtërinjve. 200 të parët mbërritën në vend, ndërsa KSHZ-ja duhet të fillojë trajnimin për përdorimin e tyre. Kompania “Dermalog” duhet t’i dorëzojë të gjithë terminalet në vend deri më 1 tetor.



Të ndryshme
Më shumë
Inspektim i jashtëzakonshëm në Spitalin e Tetovës13 September 2021
Ndërron jetë në moshë të re mësuesja e Shkollës fillore Liria, Anesa Sabedini22 October 2021
Punonjësit e Twitter janë shkaku i hakimit të 1000 llogarive, zbulohet anonimisht29 July 2020