Nga Vendi
9 shtator 2021
Jo transparencë totale, asnjë sqarim për opinionin rreth ngjarjes tragjike në Tetovë

Më shumë se një orë pas neutralizimit të situatës, fikjes së zjarrit dhe nxjerrjes së disa viktimave, kabineti qeveritar u shfaq pran spitalit modular për Kovid në Tetovë. Ardhjen e tyre në vendngjarje a paralajmëruan përmes rrjeteve sociale.

Për disa minuta, kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, të rrethuar nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, zëvendëskryeministri Artan Grubi e të tjerë, koketuan para syve të opinionit, por gjatë gjithë kohës policia kujdesej që gazetarët të mos e kenë vëmendjen në bisedën mes liderëve. Opinioni nuk u njoftua nga vet zyrtarët se çfarë kishte ndodhur dhe as për planin që Zaev-Ahmeti u morën vesh para vendit të tragjedisë.

U larguan nga oborri i spitalit të qytetit në Tetovë për të shkuar në objektin e Komunës, në mbledhjen e thirrur urgjente të Shtabit të Krizës. Nuk dihet në çfarë cilësie dhe pse kreu i BDI-së, Ahmeti mori pjesë në mbledhjen e Shtabit të Krizës. Deklaratat e para priteshin pas mbledhjes. Këtë e premtoi vetë Zaev.

Në fund do të japim deklarata. Vetëm ju lutem tërhiquni anësh – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Kabineti qeveritar doli nga mbledhja që zgjati rreth dy orë. As këtë herë nuk pati asnjë sqarim zyrtar. Zaev tha se nuk do të ketë deklarata deri sa nuk mbaron hetimi në vend ngjarje. Edhe pse mediat kishin pritur një konstatim nga mbledhja, Zaev dhe ministrat e tij u larguan me nxitim. Në mesin e tyre ishte edhe Venko Filipçe nga i cili ishin drejtuar sytë e opinionit, por ai vendosi që komunikimin me qytetarët ta zhvillojë përmes rrjeteve sociale.

Nuk do të ketë derisa punojnë prokurorët, forenzika dhe ekspertët e përfshirë në hetim. Deklaratat e përshpejtuara mund të krijojnë probleme – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Në fund doli kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi e cila nuk tha asgjë më shumë se versioni i kryeministrit.

Dakordimi nga ky takim është që deri sa prokurori shtetëror dhe institucionet tjera nuk do të ketë deklarata. Do të prononcohemi pasi që informacionet të jenë zyrtare – theksoi Teuta Arifi, Kryetare e Komunës së Tetovës.

Edhe pse sot u shfaqën para mediave zyrtarët e lartë të qeverisë prapëseprapë nuk ndan asnjë detaj rreth ngjarjes tragjike, dyshimeve të para, po as për përgjegjësinë e autoriteteve kompetente.

Adrian Kerimi



Të ndryshme
Më shumë
Don Xhoni zbulon se Noizy i paska bërë “follow”, por ai ia la seen, “Të premtoj se …” 3 gusht 2021
I vdiq nipi, Afërdita Demaku kritikohet keq për këngën e saj, “I paske rezervu këngë moj qyqe”...30 gusht 2021
I dhanë fund martesës? Fjolla Morina bën veprimin e çuditshëm ndaj Fisnikut, bashkëshortit të saj27 shtator 2021