Nga Rajoni
5 July 2021
Dënimi ndaj serbit që dhunoi një shqiptare gjatë luftës, reagon Albulena Haxhiu

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, Zoran Vukotiqin, për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë, raporton Express.

Pas shpalljes së aktgjykimit, ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se ky është një lajm shumë i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

“Sot, për herë të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 10 vite burgim kriminelin, Zoran Vukotic për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.  Ky është një lajm shumë i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës. Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë!”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas aktakuzës së ngritur, Vukotiq si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore. 



Të ndryshme
Më shumë
Shkurte Gashi publikon fotografi të djalit për herë të parë 3 September 2021
Gjobiten 500 mjekë në Maqedoni, dhanë receta për sëmundje specifike17 June 2021
Milloshovski: Edhe tragjedia e Tetovës do të zvarritet në labirintet e drejtësisë15 September 2021