Nga Vendi
6 July 2021
Merkel: Gjermania do të japë 3 milionë vaksina për Ballkanin Perëndimor

Gjermania do të ndajë tre milionë doza të vaksinave kundër COVID-19 për vendet e Ballkanit Perëndimor. Deklarata u bë të hënën nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në përfundim të takimit virtual me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Merkel, tha se i sheh të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare të ardhshme në Bashkimin Evropian “për arsye strategjike”.

“Është në interesin e Bashkimit Evropian që ta çojë përpara këtë proces”, tha zonja Merkel në një konferencë me gazetarët, pas përfundimit të takimit ku mblodhi për herë të fundit përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, duke lënë të nënkuptohet se po flet për ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon, por pa i përmendur ato.

Kancelarja Merkel tha se gjatë takimit virtual, presidenti francez, Emmanuel Macron, kishte shprehur “shumë qartë” mbështetjen e tij për ardhmërinë evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit.

Në samit morën pjesë përfaqësues nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova si dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.



Të ndryshme
Më shumë
Çitaku për arkivat e UÇK-së: Serbia e ka futur delegacionin e Kosovës në grackë17 September 2021
Gjyshi rrah për vdekje mbesën, sepse kishte veshur xhinse30 July 2021
TikTok fshin më shumë se 7 milionë llogari të dyshimta 1 July 2021