Nga Bota
7 July 2021
Von der Leyen godet Orbanin: Turp, duhet ta largoni ligjin anti-LGBT

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi të mërkurën se Hungaria duhet ta shfuqizojë legjislacionin që ua ndalon shkollave përdorimin e materialeve që cilësohen si promovim i homoseksualitetit ose do të përballet me forcën e plotë të ligjit të BE-së.

Legjislacioni i ri hungarez u kritikua ashpër nga udhëheqësit e BE-së në një samit muajin e kaluar. Kryeministri i Holandës ishte më i rrepti, duke thënë se Hungaria duhet t’i respektojë vlerat e tolerancës së Bashkimit Evropian ose të largohet nga blloku.

“Homoseksualiteti barazohet me pornografinë. Ky legjislacion e përdor mbrojtjen e fëmijëve për t’i diskriminuar njerëzit për shkak të orientimit të tyre seksual. Ky është turp”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian në Parlamentin Evropian në Strasburg.

“Asnjë çështje nuk ishte më e rëndësishme se ajo që i cenon vlerat tona dhe identitetin tonë”, tha Von Der Leyen për ligjin hungarez, për të cilin shtoi se bie në kundërshtim me mbrojtjen e pakicave dhe respektimin e të drejtave të njeriut, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Zyrtarja e lartë gjithashtu tha se Hungaria do të përballet me forcën e plotë të ligjit të BE-së, nëse nuk zmbrapset, ndonëse nuk dha hollësi për ndonjë masë konkrete. Ligjvënësit evropianë thonë se në këta hapa mund të përfshihen ngrirja e fondeve të BE-së për Budapestin dhe një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.



Të ndryshme
Më shumë
Prezantuesja shqiptare zbulon si humbi 20 kilogramë18 August 2021
Në Shkup mbahet Mini Shengeni, pjesëmarrës Zaevi, Rama dhe Vuçiqi29 July 2021
S’ka vendimi për vitin e ri shkollor, shtyhet mbledhja KSI-MASH11 August 2020