Nga Vendi
17 August 2021
Burimit nga Zvicra ia shesin veturën e shtrenjtë 50 mijë euro, pa dijeninë e tij

Vetura “Subaru Impreza” e Burim Azirit (36) nga Olteni i Zvicrës u konsiderua “pa pronar” – dhe u shit pa dijeninë e tij

Vetura e tij ishte e gjithë bota për të: Burim Aziri (36) nga Olteni është tepër i zemëruar. Subaru Impreza e tij, e cila ishte parkuar në një garazh me qira, u shit – pa u informuar paraprakisht. Tani gjykata federale ia ka refuzuar ankesën.

Burim Aziri (36) nga Olteni vlon nga zemërimi. “Subaru Impreza ime e dashur m`u vodh, nuk mund ta perceptoj ndryshe”, thotë ai i zemëruar. “Tani nuk kam më veturë, duhet të paguaj avokatin tim dhe akoma duhet të paguaj shpenzimet gjyqësore. Kjo është thjesht joreale”.
Drama filloi disa muaj më parë. Polimekaniku i trajnuar kthete prapa për ta treguar historinë: “Gjatë praktikës sime, kam kursyer çdo qindarkë që kam fituar”. Kur më në fund ai i mblodhi 54 000 franga, e bleu veturën e re “Subaru Impreza”.

Gjatë viteve, ai investoi shumë punë dhe mbi të gjitha para. “Kam shpenzuar mbi 30,000 franga për modifikimin e performancës në veturë”, thotë ai për “Blick” me krenari. Por një ditë ai është dashur ta dorëzojë patentën e shoferit dhe që atëherë ndaloi të drejtonte veturën.

“Në atë kohë, nëna e një shoku kishte marrë me qira një shtëpi dhe nuk kishte nevojë për garazhin. Atëherë e kam marrë me qira për 100 franga në muaj”, shpjegon ai. Një ditë kur ai ishte ulur në një lokal në Olten, ai pothuajse u godit nga një tronditje: “E pashë veturën time që po kalonte përskaj meje”.

Ai e raportoi menjëherë vjedhjen e supozuar. “Më pas doli që nëna e një të njohuri ishte dëbuar nga pronarët”, raporton ai. “Gjatë zhvendosjes së gjësendeve ata gjetën veturën time, e hapën dhe sapo e kishin shitur”. Kjo nuk e la Burimin të qetë. Ai raportoi të gjithë ata që ishin përfshirë: për shkelje të rregullit të banimit, marrjen e mallrave të vjedhura dhe përvetësim.

Në vendimin e Gjykatës Federale zvicerane të 8 korrikut, historia tingëllon pak më ndryshe. Për shkak se ajo nuk e pagoi qiranë, qiramarrësit të shtëpisë iu dha urdhri për largim – pas së cilës ajo u zhduk. Kur gjatë zhvendosjes u gjet vetura, djali i pronarit të shtëpisë thirri policinë e kantonit për të gjetur pronarin. Në atë çast, pronarët me sa duket nuk dinin asgjë për nënqiranë. Një kompani më në fund e hapi veturën në mënyrë profesionale.

Pastaj pronarit të automjetit iu kërkua me letër rekomanduese që të merrte veturën brenda dhjetë ditësh dhe t`i paguante shpenzimet e papaguara të qirasë për garazhin. Përndryshe, automjeti do të zhvendosej pas afatit. Meqenëse asgjë nuk ndodhi dhe letra as nuk ishte marrë në postë, nga fjalët u realizua vepra.

Kjo është e drejtë, ka konstatuar instanca më e lartë gjyqësore, transmeton portali Shtegu. Arsyeja: Meqenëse qiramarrësja e zhdukur i ka lënë të gjitha gjësendet, mund të supozohej se edhe automjeti ishte lënë pas. Përpos kësaj, djali gjithashtu kishte tentuar ta gjente dhe të informonte pronarin para shitjes.

“Unë nuk dija asgjë nga gjitha këto dhe gjithmonë ia paguaja qiranë drejtpërdrejt nënës së të njohurit tim çdo gjashtë muaj”, thotë Burim Aziri, i cili është i shkatërruar. Ajo që e mërzit gjithashtu: “Ata e shitën veturën time për 17 000 franga. Ajo ka shumë më tepër vlerë dhe për mua ishte e paçmuar gjithsesi”.

Që nga vendimi shkatërrues, shqiptari nga Maqedonia e Veriut ka mbetur pa energji dhe fle shumë. Por ai vazhdon të mbajë me vete çdo ditë çelësat e Subarus së tij të dashur, thotë ai: “Dhe unë do t’i mbaj ato deri në vdekjen time. Unë thjesht nuk mund ta besoj këtë padrejtësi dhe kam humbur besimin në gjyqësorin”.



Të ndryshme
Më shumë
Rita dhe Fidani befasojnë të gjithë me veprimin e fundit!30 July 2021
“Nuk mund të jetë i njëjti person”, transformimi i gruas pas makiazhit ngjall reagime të shumta29 July 2021
Ja kur do të publikohen rezultatet nga regjistrimi i popullsisë 1 October 2021