Nga Bota
27 February 2022
SHBA: Putini ka përdorur dy të tretat e fuqisë totale luf*arake, vetëm sot janë lëshuar 320 raketa

 

Presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur dy të tretat e fuqisë totale luftarake ruse “për këtë pushtim”, u tha gazetarëve të dielën një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes, raporton CNN, përcjell Gazeta Express.

“Kjo do të thotë se ai e ka ende një të tretën jashtë Ukrainës, gjë që nuk është e parëndësishme”, tha zyrtari amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se që nga mëngjesi i sotëm forcat ruse “kanë lëshuar më shumë se 320 raketa”.

Shumica e këtyre raketave janë “raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi”, shtoi zyrtari amerikan.

Ukrainasit e patën sot ditën e katërt të luftimeve për mbrojtjen e vendit të tyre, ndërsa forcat ruse në orët e para të mëngjesit kishin arritur të hynin në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë.

Megjithatë, qyteti tani është nën kontroll të vendasve, edhe pse qindra trupa ruse e kishin thyer rezistencën fillimisht.

Autoritetet ukrainase tregojnë se plani i Rusisë megjithatë nuk po shkon siç ishte parashikuar.

Ndërsa e gjithë vëmendja e botës është në Kiev, kryeqyteti ukrainas vazhdon të mbetet “i paprekshëm”. Autoritetet ukrainase kur flasin për fitoret, i referohen në masë të madheve luftimeve në kryeqytet, ku edhe civilët po ndihmojnë për t’i mbajtur forcat pushtuese sa më larg.

Qytetarët në disa pjesë të qytetetit janë pajisur me molotov për t’i sulmuar tanket ruse.

Pasdite, Ukraina u pajtua që ta çojë një delegacion në kufirin me Bjellorusinë të hënën, për të biseduar me delegacionin rus, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës.

Zelensky ka njoftuar edhe vetë se ka biseduar në telefon me presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenkon, aleatin e presidentit rus, Vladimir Putin.

“Rezultati i bisedës me Aleksandër Lukashenkon. Kemi rënë dakord që delegacioni ukrainas të takohet me rus pa kushte paraprake në kufirin ukraino-bjellorus, në zonën e lumit Pripyat”, shkroi Zelensky në Facebook.

Presidenti ukrainas tha se Lukashenko ka marrë përgjegjësi se avionët, helikopterët dhe raketat e vendosura në territorin bjellorus do të mbeten në tokë përgjatë nisjes, negociatave dhe kthimit të delegacionit ukrainas në vend.

Bjellorusia është aleat i Rusisë dhe ka luajtur rol kyç në pushtimin rus të Ukrainës. Trupat ruse pushtuan kufirin e Ukrainës me Bjellorusinë me mbështetjen e qeverisë bjelloruse, sipas zyrtarëve ukrainas.



Të ndryshme
Më shumë
Dukagjin Lipa portalit serb: Që kur ju bleu Vuçiç jeni bërë patetikë28 July 2021
Dua shijon pushimet në Shqipëri, pozon më ëmbël se kurrë!28 July 2021
Gostivar, 6.800 qytetarë kanë mbetur pa punë gjatë periudhës së pandemisë28 June 2021